Zgjedhjet në FSHF/ Presidenti është formalitet, beteja reale është për pushtetin

Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit po zhvillohen në një klimë që rrallëherë është ndeshur më parë; pa tension real për postin e presidentit, por me një përplasje të heshtur dhe shumë domethënëse për pushtetin e brendshëm të federatës. Në thelb, këto zgjedhje nuk prodhojnë garë për drejtimin kryesor, por testojnë pjekurinë institucionale dhe standardin e qeverisjes sportive.

Procesi zgjedhor po konfirmon më shumë një realitet të konsoliduar sesa po hap një kapitull të ri rivalitetesh. Pikërisht për këtë arsye, debati publik duhet të jetë më serioz, më analitik dhe më i përgjegjshëm.

Kritika institucionale është e domosdoshme; fyerja personale është e dëmshme. E para ndërton standard, e dyta shkatërron besimin.

Armando Duka hyn në këto zgjedhje me një bilanc që flet vetë. President i FSHF-së, zv.president i UEFA-s dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, ai përfaqëson sot figurën më të konsoliduar të drejtimit sportiv në Shqipëri. Katërvjeçari i fundit ka qenë ndër më të suksesshmit në historinë e futbollit shqiptar, si në rezultate, ashtu edhe në ndërtim strukture.

Kombëtarja shqiptare ka shënuar arritje historike, me kualifikime dhe paraqitje dinjitoze në Kampionatin Europian, si dhe konkurrim real në eliminatoret e Kupës së Botës përballë skuadrave të nivelit të lartë. Këto rezultate nuk janë episodike, por produkt i një strategjie afatgjatë dhe i një drejtimi të qëndrueshëm.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i futbollit të moshave dhe investimet në infrastrukturë kanë ndryshuar rrënjësisht panoramën e futbollit shqiptar. Akademitë janë shtuar, kampionatet e moshave janë strukturuar më mirë dhe stadiumet e reja, bashkë me dhjetëra fusha stërvitore në të gjithë vendin, kanë krijuar kushte që deri pak vite më parë ishin luks.

Por nëse posti i presidentit është praktikisht i konfirmuar për zgjrdhket më 16.02.2026, beteja reale zhvillohet për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

Pikërisht aty merren vendimet, të cilat ose e përforcojnë vizionin, ose e bllokojnë atë. Një KE i dobët, i kapur nga interesa të ngushta apo nga logjika e klientelizmit, do të ishte rreziku më i madh për çdo progres të arritur.

Përtej emrave të njohur si Dervishi, Nuri, Basha, Kuriu, Petro dhe Hicka, kandidaturat e Geri Çipit, Armando Cungut, Blendi Fevziut dhe Edmond Hasanbellit e bëjnë këtë garë më politike, më të ashpër dhe më domethënëse.

Këtu nuk bëhet fjalë për dekor institucional, por për kontroll real mbi drejtimin e federatës.

Kushdo që njeh vizionin dhe stilin drejtues të presidentit Armando Duka e kupton se opozita e tij reale nuk janë zhurmuesit apo negativistët, por vetë standardi që ka ndërtuar. Është vetë Armando Duka që nuk kënaqet me sukseset. Vetëanaliza, kërkesa për më shumë dhe ambicia për përmirësim të vazhdueshëm janë thelbi i këtij modeli drejtimi, që e sheh federatën si institucion në zhvillim të pandërprerë.

Sfida e mandatit të ardhshëm nuk është mbijetesa, por thellimi i reformës: më shumë transparencë reale, më shumë mbështetje të drejtë për klubet, më shumë pavarësi për strukturat vendimmarrëse dhe një Komitet Ekzekutiv si instrument zhvillimi, jo pengesë e tij.

Zgjedhjet në FSHF nuk janë fundi i një epoke, por prova nëse kjo epokë di të korrigjojë veten. Sepse kritika është institucionale, fyerja është personale. Vetëm e para e çon përpara futbollin, por edhe shoqërinë.

Read Full Article on 360 GRADE →

This article was originally published on 360 GRADE.