Ministri i Bujqësisë përjashton fermerët nga takimet – Patatja shqiptare ngel stok, importet mbysin prodhimin vendas

Një tjetër skandal po trondit sektorin e bujqësisë. Fermerët denoncojnë se përjashtohen sistematikisht nga takimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa vendimmarrja bëhet pa praninë e atyre që prodhojnë realisht.

Një fermer nga Maliqi, i konsideruar ndër më potencialët në zonë, ka ngritur zërin publikisht, duke deklaruar se ministria nuk i njofton fermerët e vërtetë për takime, por vetëm persona të përzgjedhur për të “mbushur sallat”.

“Ne nuk thirremi në takimet që zhvillojnë ata. Nuk na lajmërojnë. Lajmërojnë vetëm njerëzit që u duhen për të mbushur sallën. Fermerët e vërtetë asnjëherë nuk shkojnë nëpër takime për të mësuar. Nuk na duan,” – shprehet fermeri.

Situata bëhet edhe më alarmante në Korçë, ku prej javësh patatja vendase ka ngelur stok, pa treg, ndërsa **importet e patates nga jashtë kanë përmbytur tregun, duke goditur rëndë prodhuesit vendas.

Fermeri nga Maliqi shprehet se pamundësia për të takuar ministrin apo përfaqësuesit e ministrisë e ka detyruar të dalë në media:

“Pamundësia për ta takuar ministrin më detyron të dal në media për të kërkuar të drejtën time. Nuk dua asgjë më shumë se djersën time.”

Sipas fermerëve, kjo situatë tregon qartë shkëputjen totale të institucioneve nga realiteti në terren, ku prodhimi vendas lihet pa mbrojtje, ndërsa importet lejohen pa asnjë filtër.

Ndërkohë, ministria hesht, ndërsa fermerët paralajmërojnë se do të vijojnë denoncimet publike./Shqiptarja.com

Read Full Article on 360 GRADE →

This article was originally published on 360 GRADE.